Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Thursday, November 2, 2017

Nuk është Zvicra, është Bovilla. Turp të kesh po s’e ke parë!



Nga Fjorda Llukmani
Nuk ke qenë akoma në Bovillë? Epo turp të të vijë! Kaq pranë Tiranës ndodhet liqeni që na furnizon të gjithëve me ujë në çezmat e shtëpisë. Kam parë shumë fotografi në rrjetet sociale dhe sa herë doja të nisesha për Bovillë, gjithmonë ndodhte diçka që më ndalonte. Kësaj radhe nuk shpëtova dot.
Nisemi ditën e diel me furgon në orën 8 të mëngjesit. Zgjimi i mëngjesit, qoftë edhe për qejf, ka për të qenë historikisht ndër torturat më të mëdha të jetës sime. “Hajt mo, të paktën po bëj diçka ndryshe nga bashkëmoshatarët e mi, të cilët zgjohen hangover  të dielave” – thashë me vete. Rruga që të çon në liqenin e Bovillës kalon nga Kamza dhe Zall-Herri. Deri diku është asfalt, pastaj kthehet në rrugë normale fshati, që mund të kalojë çdo lloj makine. Në krahun tim shikoja lumin që rrjedh nga liqeni, në të cilin ka pafund gurore dhe pikë mbledhje zhavorri. Shoferi na ndaloi në fillim të kanionit, që ta bënim rrugën në këmbë për të shijuar pamjen. Guida jonë vendosi të bëjmë pak fizkulturë për nxemje. Kujtova se po tallej, vetëm kur shoh njerëzit në formë rrethi duke ndjekur ushtrimet e saj. U shmanga pak nga turma për mos të rënë në sy që jam përtace dhe s’ma ka qejfi të bëj fizkulturë mëngjesi.
Rruga që të çon në Bovillë është mes dy maleve, prandaj nuk bie asnjë pikë drite. Mund të them që provova të ftohtin sikur të ishte mëngjes dhjetori. Kanioni i Bovillës më surprizoi. Nuk ma merrte mendja që Tirana kishte një kanion të tillë. “Si nuk del ndonjë i zgjuar të zhvillojë sportin e rafting këtu” – mendoja me vete. Tek shijonim natyrën, i gjithë grupi trembet nga një zhurmë goxha e fortë. Dëgjohej afër dhe larg në të njëjtën kohë dhe dukej sikur vinte nga mali. Meqë kam qenë në Turqi sa herë ka rënë bombë, kur dëgjoj një zhurmë të tillë direkt më shkon mendja tek një shpërthim i mundshëm. Kthej kokën e nuk shoh asnjë shenjë, ndërkohë zhurma përsëritej.
“Këta legenat po çajnë malin!” – thotë njëri prej turistëve që ishte me ne. Më iku mendja fare! Me të vërtetë që një pjesë e konsiderueshme ishte e zhveshur nga guroret që çanin malin. Nuk kisha parë kurrë një shkatërrim të natyrës në atë farë derexheje.  Po fëmija im a do ta gjejë malin këtu pas 20 vitesh? Ndërkohë që Migjeni thotë “Si s’kam një grusht të fortë t’i bie malit që s’bzan” unë do thosha “Si s’kam një grusht t’i bie atyre që i bien malit”. Përveç kësaj, diku buzë kanionit pamë një pirg plehrash me guaska midhjesh. Në disa pjesë të kanionit lumin e kishin devijuar për ta përdorur për interesat e tyre. “Kështu do kthehet dhe Valbona”- thotë guida e revoltuar. “Të lutem mos më jep më informacione negative për sot”, – i kthehem unë gjithë nerva, a thua se ajo kishte faj për atë çfarë po ndodhte.
Tek diga e liqenit të Bovillës vihej re që niveli i ujit kishte rënë. Ngjyra e liqenit ishte si në fotot që kam parë në internet, një miks i jeshiles me blunë. Tek ngjisnim kodrën ku do të bënim piknik, shikoj disa dele të fshehura në shkurre. Afrohem për t’i parë kur një zë më bërtet: “O goce ndalo aty se mi trembe delet!” Bariu që i mbronte ishte i veshur me xhaketë të grisur, triko leshi, kapuç dhe një bastun që e mbante në dorë. Për pak mendova se do më gjuante me shkop, aq egër më foli.
“O xhaxhi, unë desha vetëm të shikoja delet, as që më shkon në mendje t’i tremb”- i them unë.
“Prej nga je ti goce kshu, që s’ke pa asiher dele m’jet tate” – më kthehet ai me ton ironizues.
“Jam nga qyteti xhaxh dhe ne s’para shohim dele andej.”
“Epo as delet e mia s’ke për t’i pa pra, se kan’ fryk’. Dhe mos m’thuj që je nga qyteti se t’gjith nga katuni kena ardh.”
Aty pati të drejtë. Ç’më duhej mua të bëja si qytetare e shekullit në majë të Bovillës. E përshëndeta duke qeshur me idenë për të zbutur gjakrat, por ai më injoroi komplet. Më erdhi inat që më keqkuptoi, por situata ndryshoi më vonë.
Me grupin u ulëm për piknik diku në kodër nga ku shikohej liqeni, antenat e Dajtit, Mali me Gropa dhe fshati Shëngjergj. Ndërkohë, si nepsqare që jam, mora petulla dhe byrek nga disa turistë të tjerë që na shoqëronin, sepse ushqimi im nuk më dilte. Shijova petullat me djathë dhe po vrisja mendjen “Po tani çfarë do bëj?”. Meqë nuk rri dot në një vend për një kohë të gjatë, vendosa t’i hidhja një sy zonës përreth. Pak më lart nga vendi që po bënim piknik, pashë varre të reja që më bënë të mendoja se diku vërdallë ka shtëpi të banuara. Sa të kaloja pa dashje në tokën e ndonjërit e të haja prapë inate me banorët e zonës, mendova të kthehesha nga ku erdha.
Në kthim gjej një shteg interesant që të çonte në një majë nga ku mund të shikoje liqenin nga lart. Ndoqa shtegun kur dëgjoj guidën të më ulërijë nga poshtë: “Fjorda mos u ngjit më lart se është e rrezikshme! Më prit mua aty ku je.” Nuk u rebelova siç e kam zakon. U kapa pas një guri, u ula në shteg dhe prita. Nëse më ikte këmba keq, mund të rrëshqisja direkt poshtë, prandaj nuk ma mbajti të lëvizja më. Arta, guida jonë, është ndër të paktat femra që merret me alpinizëm dhe asaj i besoj çdo këshillë. “Moj ti dhi, nuk rrije dot në një vend si gjithë grupi? Ti je dhi e egër pa eksperiencë në shtigje, ku nisesh ashtu vetëm pa guidë?”- më flet e revoltuar Arta. Kishte shumë të drejtë në fakt, megjithëse pa të nuk do vazhdoja më tej.
Nga vendi ku ndalova për të pritur Artën, në shteg dukeshin vetëm disa gurë që mund t’i ngjisësh me kacavjerrë. Shkurt fare nuk shikoja ndonjë mënyrë të sigurt për të arritur aty ku doja. I them asaj që kam frikë të vazhdoj më tej pasi mund të më rrëshqasë këmba e bie poshtë. “Ec moj ti dhi e dreqit, për ca erdhe deri këtu? Ti bëre gjysmën e rrugës. Mendoje malin gjithmonë si një problem në jetë që duhet ta kalosh. Kur të arrijmë atje lart do ndjehesh shumë mirë. Unë jam këtu e do të mësoj leksionet e para të ngjitjes në mal”- më motivon Arta.
Më preku në sedër kjo vajzë. Pse ca jam unë që mos ta ngjis dot shtegun? Këmbët i kam mjaftueshëm të stërvitura pasi eci çdo ditë, për të shmangur autobusët plot me njerëz të lali Erit. Pranova të ngjitem me shpresën që nuk do shoh poshtë. Arta më mësoi ta dua malin dhe mos të përpiqem asnjëherë të dal kundër natyrës. Ku vente këmbën ajo, e vendosja dhe unë. Më mirë avash dhe saktë, se sa shpejt e të thyeja qafën.
Kur arritëm në lartësinë e duhur, nuk kishte kënaqësi më të madhe. Nga fusha sipër shikoje gjithë liqenin dhe një shpat të malit në formë fjordi. Frynte shumë erë dhe më dukej sikur do më merrte me  vete. Gjeta një cep pranë malit për ta shijuar pamjen. U shtriva në bar dhe po mendoja sa mirë bëra që e mora rrugën e shtegut, megjithëse pak e rrezikshme, ia vlejti shuuuumë. Mirë u ngjitëm deri aty, po si do zbresim? I përsërisja vetes në mendje fjalët e Artës “avash dhe saktë, avash dhe saktë…”.
Eh në fakt zbrita shumë avash, por shumicën e kohës duke u kacavjerrë e ulur (në bythë) . S’më interesonte fare që u bëra pis me jashtëqitje delesh, më mjaftonte që ndjehesha krenare për veten që arrita deri aty.
U bashkova me grupin dhe ndamë eksperiencën me to. Disa na cilësuan si të çmendur, pasi prej poshtë dukej sikur do binim nga momenti në moment. Kur po zbrisnim kodrën me grupin, rastësisht takoj përsëri bariun me delet. “Xhaxhi u ngjita deri atje sipër”- i them unë me krenari duke shënjuar me gisht. “Ti ishe ajo qytetarja që po kacavirrej nëpër gurë?”-ma kthen ai duke qeshur.
“Të gjithë katunarë jemi o xhaxh, prandaj vijmë këtu se s’na pëlqen qyteti. Si quhet fshati ku jeton ti?” – e pyes.
“Fshati im ësht mas ksaj kodrës o xhaxh. Jetojm me vështirsi po t’paktën na majn delet. Emri quhet Rroz’. E kupton fjalën rroz ti qytetarja? (fjala “rrëzë”,në dialektin tirons thuhet “rroz”).
“Nji non e kam nga Shënjergji (Shëngjergji) dhe nji nga Tufina prandaj e di çfarë do të thuash”- i flas unë, po njësoj.
“Kokrra katnares qeke dhe ti” – më kthehet bariu duke qeshur. Shyqyr e mbyllëm paqësisht bisedën, me shpresën se do të shiheshim përsëri.
Pasi mbaruam udhëtimin e ditës, mezi prisja të ndaja fotot në rrjetet sociale që ta mësonin të gjithë këtë vend. Nga fotot që më kishte bërë Arta, më dukej vetja si në Lugano të Zvicrës. Hajde Tirona hajdee, sa e bukur paske qenë e nuk e kemi ditur! Kur shkova në shtëpi i tregoja mamit gjithë entuziazëm për ngjitjen që bëra. “A e ke parasysh kur më thua pse i bën punët me bythë? – i them unë duke i treguar pamjen fantastike të Bovillës nga lart. “Ja pse”. 














No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot