Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Saturday, November 4, 2017

FEJESË NËN VËZHGIM / Tregim nga Vita Kozeli Blloshmi

FEJESË NËN VËZHGIM




Tregim nga Vita Kozeli Blloshmi
-Do vonohesh moj bijë?-dëjoi zërin e mamasë nga kuzhina, tek po kontrolloja çantën mos kisha harruar ndonjë gjë.
-Jo mama, sapo të mbaroj mësimin dhe do kthehem.
-Mirë, o bijë,- vazhdoi ajo,-se sot vjen tezja nga Tirana.
Pas këtyre fjalëve, mamaja, me tabaka në dorë, si nuse qëmoti, i shpuri kafenë babait në poltronin e tij të preferuar, ku, me pultin në dorë, kalonte nga një kanal i lajmeve në tjetrin. -Po hë, more i uruar, se na shastise me këto lajme, s’ na le mend në kokë. Ai mori kafenë, e shikoi ëmbël të shoqen dhe më shkeli syrin mua që larg . Unë buzëqesha. I doja shumë prindërit e mi, jo vetëm se janë prindër, por janë një çift i shkëlqyer në jetë.
Mamaja është një grua punëtore. Në shtëpinë tonë asnjë vit nuk mungojnë zahiretë e dimrit, si themi nga anët tona. E shihja mamanë çdo fillim vjeshte me mësallën e bardhë duke përgatitur petka, reçel prej ftoi, mish të thatë, trahana e hoshafe. -Dimri është i gjatë, moj bijë dhe këto janë bio,- më thoshte, pa e ditur se unë as që e vrisja mendjen për këto gjëra. Është jo vetëm punëtore, por edhe një bashkëshorte e urtë dhe shumë gojëëmbël. -Kam qenë me fat,- thotë im atë dhe qesh me të madhe. Ai është hokatar dhe shumë gazmor. Në çdo festë apo tavolinë ku është ai, shkulemi së qeshuri me batudat dhe barcaletat e tij.
-Po iki unë, ditën e mirë, -i përshëndeta, duke kapërcyer pragun e derës. Era e freskët e gjolit më përkedheli fytyrën si për të më uruar mirëmëngjesin. Disa rosa tutje filluan të pllaçuriteshin me zhurmë në ujë, ndërsa mjellmat kishin filluar herët valsin e tyre mbi gjol . Unë e doja shumë qytetin tim të lindjes. Aty ndihesha vetvetja,më pëlqenin njerëzit, më pëlqenin rrugët, më pëlqente gjoli, ajri i pastër dhe uji i ftohtë, aroma dehëse e unapit. Çdo gjë aty ishte perfekte. Njerëzit njihen thuajse të gjithë me njëri-tjetrin, përshëndeten rrugës me dashamirësi. Edhe unë i njihja më shumë nga prindërit dhe i përshëndesja ndërsa kaloja rrugës brekut të liqenit.
-Mirëmëngjes xha Bako. Ke zënë gjë sot? -pyes një peshkatar të vjetër buzë gjolit, që e takoj çdo mëngjes kur shkoj në punë. -Jo me belushkë e xhaxhit, peshku dhe femra duan durim dhe ushqim deri sa të bien në grep thotë ai me të qeshur.
Vazhdoj rrugën dhe mendoj se kam patur fat që jam lindur në atë qytet të vogël e piktoresk,aq të dashur jo vetëm për ne banorët e tij, por edhe për turistët e shumtë që vijnë në çdo stinë, sidomos në pranverë dhe në verë.
-Mirëmëngjes, mësuese,- dëgjoj një zë fëmije, që më përshëndet gëzueshëm.- Mirëmëngjes,- i përgjigjem dhe i lëmoj lehtë kokën. Më tej përshëndes teta Sofkën, e cila më flet me emër, por pa e ngritur kokën, sepse është duke ngjeshur brumin për lakrorët me dy petë ,të famshëm për qytetin tonë e aq të lakmueshëm e të kërkueshëm nga turistët e ardhur. Teta Sofka i bën ndër më të mirët në qytet dhe i shet në byrektoren e saj, për të mbajtur 4 fëmijët dhe burrin invalid. Shumë e varfër, por fisnike e dinjitoze, askush s’e ka dëgjuar kurrë të ankohet për asgjë. Përherë me buzë në gaz, ajo ka ditur si të tërheqë klientelën e saj dhe byrektorja ka gjithnjë klientë të shumtë.
Zilja e shkollës më ndërpreu mendimet dhe më bëri të shpejtoj hapin. Përsëri vonë, mendova. Dhe me siguri ai do më ngacmojë si gjithnjë, duke më thënë : Prapë vonë ti romantikja e fundit?
Ai më priste te dera e shkollës për të hyrë brenda të dy bashkë.
-E di,- i thashë,- e di, jam vonë dhe shpejtova të marr regjistrin në sekretari për t’u futur në klasë.
Aty më priste një botë tjetër, ajo botë që unë adhuroja …E doja shumë atë profesion, adhuroja fëmijët dhe punën time.I doja aq shumë ata fëmijë sa nuk di si do ishte jeta ime pa ta.
Orët e mësimit ikën pa u ndierë dhe, tek po fusja në çantë fletoret e hartimit, ai u shfaq në derë .
-Mbarove, Era?- më tha.
-Po,- ju përgjigja.
-Kam rrugën andej nga ty gënjeu ai.- Thashë të dilnim bashkë.
-Mirë,- i them,-vetëm me një kusht, mos këputësh trëndafilat e teta Shegës dhe mos tallesh me mua kur të flas me peshqit. Qeshëm dhe vijuam drejt buzës së gjolit. Gjatë rrugës folëm për shkollën,drejtorin, kursin e anglishtes…
Pastaj ra një nga ato heshtjet që zgjasin pa kuptuar e fillojnë të bëhen të bezdisshme. Vështrova Spartakun me bisht të syrit. Ai vështronte nga liqeni dhe luante me një kopsë të xhaketës. Edhe unë nuk po dija ç’të thoja dhe nisa të luaja me një xhufkë të çantës së dorës.
-Mbarove për sot, moj belushkë e xhaxhit?-dëgjova zërin e xha Bakos, që ishte ngritur e po vinte në një varg peshqit që kishte zënë.
-Mbarova, xha Bako, mbarova. Të paska ecur mbarë sot.
-Çka, nuk qahem, i binte mirë belushka sot. Po më duket koranin e paske zënë ti, prandaj nuk i afrohej grepit tim ,-tha ai dhe më shkeli syrin.
Ndjeva faqet të më digjnin prush. Edhe Spartaku, që ecte i heshtur bri meje, u skuq dhe hodhi vështrimin nga ana tjetës duke bërë sikur nuk kishte dëgjuar gjë. Për fat kishim arritur tek barkat dhe i gjeta si të vetmin mjet për të dalë nga situata.
-Marrim një barkë? – i thashë Spartakut dhe, pa pritur përgjigje, e tërhoqa përdore dhe nisa të vrapoj mbi rërë. Ai më ndoqi si manar.
-Hë, hë. Të ka faj belushka? Po ky korani qenka tuhaf fare,- më arritën në vesh shpotitë e xha Bakos, por tashmë e kishim lënë prapa krahëve.
Pa e zgjatur, hodha çantën në barkën e parë të lirë, sistemova remat dhe i thashë Spartakut ta shtynte pak sa të shkëputej nga rëra. U ngjit edhe ai në barkë dhe nisëm të remonim në heshtje. Vetëm remat dialogonin me ujin e pastër duke na shtyrë tej hapësirës së kaltër të gjolit. Ishte një nga ato ditët e mesit të shtatorit, kur bregu është i boshatisur nga turistët, por rrihet ende mirë e kriveci, ajo erë e ftohtë që vjen prej Ohrit, nuk ka nisur të fryjë akoma. Vetëm mbrëmjeve Mali i thatë e shtrin pushtetin e tij mbi gjol dhe mbi qytetin buzë tij, duke i kujtuar banorët të afrojnë drurët nga avllitë.
Spartaku remonte mirë. Në një moment hoqi xhaketën, përveshi mëngët e këmishës dhe u dha me vrull remave duke zgjatur edhe më shumë distancën nga bregu. Unë vështroja valëzat që krijoheshin nga lëvizja e remave dhe mbaja njërën dorë në ujë. Më dukej vetja si një vogëlushe e shkujdesur, që ka lënë pas mësimet dhe harrohet akoma pas gjolit. Dy mjellma që luanin pranë bregut kishin mbetur larg dhe zvogëloheshin gjithnjë e më shumë, aq sa nuk u dukën më. Vetëm atëherë e kuptova që kishim ikur tepër larg. Si e trembur braktisa kiçin e barkës dhe vajta e u ula pranë Spartakut.
-Nuk kemi ikur si shumë larg? -i thashë Spartakut.- E di që mund të vijë roja kufitare?
-Të shpresojmë që jo,-tha ai.-Herët është akoma, ditë. Zakonisht ata vihen në lëvizje pasi ka rënë muzgu.
Ishin ato kohë në prag të rënies së komunizmit, kishte një liberalizëm të lehtë në disa gjëra, por dihet që bisha, kur është duke i ardhur fundi, bëhet edhe më e egër. Qetësia e Spartakut më jepte njëfarë sigurie.
U kujotva që ishte hera e parë që veçoheshim nga njerëzit e shkonim aq larg. Tashmë bregu thuajse nuk dukej fare. Barka lëkundej lehtë nbi valët dhe Spartaku nuk po remonte më. Në shkollë kishin filluar ta kuptonin që ai më donte. Pritjet e tij para mësimit e pas mësimit, shoqërimi një copë rrugë buzë liqenit, nuk mund të kalonin pa rënë në sy në qytetin e vogël buzë gjolit. Në fillim mua kjo gjë më kishte shkaktuar njëfarë hutimi, nuk dija si ta interpretoja qëndrimin tim, edhe më pëlqente kjo gjë, edhe ndihesha në vështirësi përpara kolegëve. Edhe nxënësit, ata më të rriturit, kthenin kokën mëmjanë kur kalonin aty pranë ku ishim ne të dy.
Një erë e lehtë filloi të fryjë. Spartaku më hodhi xhaketën e tij supeve. E sistemoi me kujdes dhe nuk e hoqi dorën. Ndjeja peshën e krahut të tij mbi supe. Ndihesha mirë ashtu. Ai më tërhoqi ngadalë drejt vetes dhe unë e mbështeta pa fjalë kokën në supin e tij. Sundonte një heshtje që nuk e kisha provuar kurrë. Nuk kisha qenë ndonjëherë kaq larg njerëzve, qytetit, zhurmave të tij. Ishte një paqe e prehje që të hynte thellë në shpirt e të jepte një ndjenjë lirie të paprovuar.
Më erdhi një dëshirë e fshehtë të ndjeja kontaktin e buzëve të Spartakut, pushtimin e krahëve të tij. Por ai ishte natyrë e ndrojtur dhe mbase i dukej sukses i madh edhe ajo mbajtje e krahut mbi shpatullat e mia. Si për ta zgjuar, mbusha grushtin me ujë dhe ja hodha në fytyrë. Ai nuk e priste dhe u tremb. Lëvizja ishte aq e beftë sa njëra nga remat ra në ujë dhe po largohej nga barka. Duhej arritur me çdo kusht, ndryshe, si do ktheheshim me një remë në breg. Filluam të lundronim me remën tjetër. Kur u afruam, remën e rënë e kishim në anën time. Unë u zgjata që ta merrja, por me sa duket u zgjata më shumë se sa duhet, barka u anua dhe veç kur e ndjeva veten tërësisht në ujë. Si vajzë e atij qyteti e dija mirë notin. E mora remën dhe u ktheva tek barka, tek Spartaku që po bëhej gati të hidhej për të më shpëtuar. Por i bëra me dorë të rrinte ku ishte e të më zgjaste dorën. U ngjita në barkë. Tërë rrobat kullonin ujë. Nuk kisha nga t’ja mbaja. U detyrova të hiqja bluzën e hollë dhe fundin, e për çudi nuk po më vinte turp, ndonëse ndjeja vështrimin ngulmues të syve të Spartakut, që nuk po dinin ku të ndaleshin më parë. Pastaj u përmend, më hodhi xhaketën e tij supeve, shtrydhi rrobat e mia dhe i vuri tek kiçi, ku binin disa rreze të ndrojtura të diellit.
Nga supet isha ngrohtë, por nga këmbët fillova të dridhesha. Atëherë ai hoqi edhe këmishën e tij e më mbështolli këmbët. Ky gjest përkujdesjeje më preku dhe po e vështroja ëmbëlsisht në sy. Ishte ulur përballë meje, me bustin të zhveshur dhe per herë të parë veshtrova tek ai trupin mashkullor. Kishte fizik të skalitur mirë. Po e ndjeja të afërt dhe pa e zgjatur e tërhoqa drejt vetes. E dija që ketë pasdite ai nuk do ta merrte iniciativën. E përqafova me mirënjohje dhe ndjeva që gjinjtë e mi preknin gjoksin e tij. U afruam edhe më shumë dhe buzët tona u bashkuan në një puthje të ngrohtë e të gjatë. U shtrimë pranë njëri-tjetrit në barkë, duke u ngrohur me puthje e përqafime.
***
Nuk e kishim kuptuar as vete sa kohë kishte kaluar, kur ndjemë zhurmën e një motorri të afrohej. U ngritëm nxitimthi nga vendi dhe unë instinktivisht mbulova trupin me rrobat e Spartakut. Ishte motoskafi i rojes kufitare. Na urdhëruan të ngjiteshim në motoskaf, ndërsa barkën tonë e lidhën pas e nisën ta tërhiqnin.
Asnjëherë nuk e kisha ndjerë veten kaq keq. Ata po na akuzonin për tentativë arratisjeje dhe për akte të turpshme në një vend publik siç ishte liqeni. Nuk gjeja dot fjalë të përgjigjesha veç betohesha se nuk kishim patur asnjë mendim për t’u arratisur, se kishim dalë për një shetitje dhe gabimisht kishim shkuar më larg se sa duhej. Të njëjtën gjë bënte edhe Spartaku, por atë nuk e linin të fliste, duke e quajtur kryesisht atë përgjegjës për gjithçka. Lotët po më rridhnin vetvetiu, sa nga zemërimi që nuk donin të na besonin, aq nga turpi për situatën në të cilën ndodheshim. Bregu afrohej me shpejtësi e në trurin tim kambana alarmi binin papushim.
***
Rrugës në motoskaf kisha veshur rrobat e mia ende të lagura, ndërsa Spartaku veshi të tijat. Në degën e brendshme na futën në një dhomë, ku herë pas here kalonin policë që na shikonin me një sy armiqësor. Atmosfera ishte e nderë. Pritej të vinte kryetari i degës që do të vendoste përfundimisht për fatin tonë.
Pas pak na shoqëruan në zyrën e tij. Isha shumë e trembur, më shumë për njollën që do i vihej kot së koti familjes sime. Ai na bëri shenjë të uleshim. Pastaj e ndali gjatë vështrimin tek unë.
-Mos je vajza e Raqit ti?- m’u drejtua befas.
-Po.
-Po pse moj vajzë kërkon t’i vesh një njollë atij burri që e kemi kuadër të mirë të ushtrisë sonë? Çfarë kërkoje aq larg në liqen? Doje të ikje tek armiqtë e Shqipërisë?
Nisa t’i përsërisja betimet që u kisha bërë edhe rojeve të kufirit, që nuk kishim asnjë lloj mendimi për t’u arratisur, thjeshtë kishim dalë për një shetitje me barkë pas mësimit në shkollë dhe pa e kuptuar kishim ikur me larg se sa lejohej. Ai më dëgjoi, heshti për disa çaste, pastaj pyeti: -Po ky kush është?
E kuptova që po u besonte fjalëve të mia ndaj mora guxim.
-Ky është Spartaku, i fejuari im. Jemi edhe kolegë në shkollën e mesme.
-Jeni edhe mësues, pa le. Kjo është edukata që i jepni brezit të ri?…
Pas këtyre fjalëve u ngrit, bëri nja dy xhiro përreth nesh nëpër zyrë, duke na parë me hollësi nga koka tek këmbët, pastaj m’u drejtua gjithnjë mua:
-Për këtë radhë po e konsiderojmë si një aventurë dashurie. T’u vijë turp, si jeni katandisur. Këtë gjë do ta bisedoj me Raqin. Por dijeni që jeni nën vëzhgim. Për gjënë më të vogël ju rrasim brenda e do paguani edhe kusuret e kësaj dite. Tani zhdukuni prej këtu.
***
-Nga u zhduke, moj bijë?- më pyeti e alarmuar mamaja, sapo më pa tek pragu.
-Uuu, erdhi çupka,-thirri tërë gëzim tezja që kishte ardhur nga Tirana dhe u hodh të më përqafonte. Ndjeva se kisha nevojë për atë përqafim të gjatë veç të mos jepja shpjegime nga kisha qenë.
Nga dhoma doli babai, i ngrysur në fytyrë.
-Grua, bëji gati gotat e rakisë. Na është fejuar çupa.Madje ja kanë bërë ceremoninë në degën e brendshme. Tani fola edhe me krushqit në telefon e do vijnë bashkë me dhëndrrin.
-E zeza unë, ç’janë këto që thua, mor burrë?-filloi të gërvishtë faqet mamaja.
-Bëj si të them unë. Nesër Era duhet të dalë përkrahu si e fejuar me atë shokun e saj, ndryshe karriera e saj është në rrezik,-tha babai. 

V.Blloshmi     

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot