Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Friday, October 27, 2017

Bukuria me të cilën mburret Librazhdi, mos e beso po deshe!



Buzë rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd, rreth 2 kilometra larg Librazhdit, gjendet një ndërtesë e veçantë që quhet: Kalaja Balla Librazhd. Tashmë dhe Librazhdi e ka një kala të vetën, që është pjesë e destinacionit “Via Egnantia”. E veçanta e këtij vendi është se kjo kala është ndërtuar me dashuri me gurë lumi dhe shkëmbinj mali nga dy pronarët e saj, njëkohësisht edhe vëllezër, Skënder dhe Shkëlqim Balla, të cilët kanë dhënë shpirtin në një ndërtesë mahnitëse. Në këtë oaz qetësie, përveçse përkëdhelesh nga natyra, mund të shijosh edhe gatimet më të mira tradicionale të të dyja zonave, të Librazhdit dhe të Elbasanit. Jemi të sigurt që jeni bërë mjaft kuriozë për të lexuar se përse është unik ky vend, ndaj le të vazhdojmë pa humbur kohë me intervistën e dy vëllezërve të Bar-Restorant-Hotel Kalaja Balla…


lokali (1)

Arlis Alikaj: – Kur është ndërtuar kjo kala dhe si ju lindi ideja për të?
Skënder Balla: – Kalaja është ndërtuar në vitin 2004, ndërsa me kalimin e viteve e kemi rikonstruktuar pjesë-pjesë, deri në formën përfundimtare. Ideja për ndërtimin e saj na ka lindur qëkur ishim në Greqi ku kemi punuar për ndërtimin e kalave dhe kemi shumë eksperiencë. Sigurisht, për modelin punuam dhe hulumtuam edhe kalatë antike nëpër Shqipëri dhe arritëm të mblidhnim gurë mali e shkëmbinj të fortë e të zgjedhur për të imituar në përsosmëri një kala të vërtetë.
– Në cilin stil është e ndërtuar kalaja?
Shkëlqim Balla: – Kalaja është ndërtuar sipas stilit bizantin, një stil shumë i vjetër rreth 1500 vjet para erës sonë.
– Cilat janë përshtypjet e turistëve të huaj pasi largohen nga restorant Kalaja?
– Turistët e huaj, por dhe të vendit, të cilët janë të shumtë në çdo stinë, ngelen shumë të kënaqur. Zakonisht, mahniten me strukturën dhe ambientin. Sa herë vijnë e konsumojnë një drekë a një darkë këtu, u shijon shumë ushqimi brenda mureve të kalasë, që nga kollonat që janë vënë në mënyrë të veçantë. Duket sikur konsumojnë ushqim brenda diçkaje groteske dhe madhështore, që nuk e kanë as lokalet moderne.
– Cila është sipërfaqja e kalasë dhe çfarë ka në të?
– Kalaja jonë është rreth 220 si sipërfaqe objekti. Ambienti ka dy restorante e gjashtë dhoma komode hoteli, si dhe një verandë në katin e katërt, e cila ka një tarracë me pamje të papërsëritshme. Gjithashtu, poshtë ka një hapësirë të madhe, sallë konferencash, ku mund të bëhen edhe organizime për dasma, që më pas mbahen mend gjatë.
– Një nga pikat tuaja të forta është ushqimi cilësor…
– Po, e vërtetë, kjo gjë na dallon nga të tjerët. Këtu te ne çdo gjë është bio dhe e freskët. Ne shkojmë e blejmë vetë te fshatari. Siç e shihni edhe vetë, këtu është shumë pastër. Ne ofrojmë cilësi në ushqime të cilat ju mund t’i shijoni në natyrën buzë lumit Shkumbin dhe qetësinë, që është kryesoja, për të harruar streset e ditës.
– Cilat janë specialitetet tuaja?
– Ne gatuajmë ushqime nga më tradicionalet, si pulë të freskët fshati me përshesh, qull me arra e shumë të tjera…
Skënder Balla: – Gjithashtu, gatuajmë peshk të freskët nga lumi që kalon poshtë nesh, fërgesën tradicionale të Elbasanit, tavë kosi, mish qengji me patate siç gatuhet në zonën këtej, me djathë kaçkavall e me përbërës të tjerë. Gjithashtu, nuset tona që kanë qenë së bashku me ne gjatë periudhës së emigrimit në Greqi për rreth 12 vjet, janë shumë të mira edhe në kuzhinën greke, si musaka greke, pastiço papuçaq (recetë greke) etj. Ju do të largoheni jo vetëm të ngopur, por edhe të kënaqur pasi keni shijuar ushqime tradicionale, si nga zona Librazhdit, ashtu edhe nga ajo e Elbasanit.
Shkëlqim Balla: – Ne jemi një biznes familjar dhe çdo gjë, testohet nga ne në fillim. Klientët konsumojnë ushqime të përgatitura me shumë dashuri dhe kujdes nga ana jonë.
– Si janë çmimet, në raport me cilësinë që ju ofroni?
– Gatimet kanë çmime normale, megjithëse jemi pranë rrugës kryesore. As për raste festash, nuk i rrisim ato. Ne punojmë me ndershmëri. Edhe pse kemi kosto, se shkojmë i marrim direkt nga kopshtet e fshatarëve ushqimet bio, si dhe e mirëmbajmë lokalin herë pas here, ne prapë ofrojmë çmime të përballueshme nga të gjithë.
– Ndani me ne disa përvoja ose mbresa që nuk i harroni nga klientët tuaj…
– Do të donim të ndanim eksperiencën me një zonjë nga Italia, e cila punonte si restauruese kalash dhe mirëmbante objekte e monumente të vjetra në Itali. Ajo e ka pëlqyer shumë ambientin si brenda dhe jashtë, aq sa na ka puthur duart dhe na ka falënderuar. Gjithashtu, përfaqësues nga Ministria e Turizmit sa herë kalojnë dhe drekojnë, vlerësojnë idenë e turizmit malor që ofron kalaja jonë dhe llojin e saj, që është punuar me dorë dhe çdo gjë është në vendin e saj. Kjo strukturë me kalldrëm guri, ku ne kemi investuar vetë, ose ura që hyn për te restoranti, është tamam si ura e Kamarës. Ne jemi itinerari i rrugës së lashtë Egnantia dhe kemi dhënë më të mirën për realizimin e saj. Aq më shumë që kemi qenë në një mendje me vëllain dhe deri tani na kanë ecur gjërat mjaft mirë. Kemi punuar bashkë për të sjellë diçka të bukur, në mënyrë që çdo person që vjen, të largohet i kënaqur e krenar që ka qenë në një kala.
– Cilat kanë qenë disa nga personazhet VIP që e kanë vizituar kalanë tuaj?
– Kanë qenë të shumtë ata të cilët na kanë nderuar me ardhjen e tyre, duke filluar nga deputeti i zonës Taulant Balla, i cili vjen shpesh, ish-presidenti Bamir Topi, Spartak Braho, Neritan Ceka, Ardian Turku, Qazim Sejdini, Arben Ristani, Eduar Selami dhe Halimi e shumë të tjerë, kurse nga artistët ka ardhur Agron Llakaj, Behar Mera, Tinka Kurti, këngëtaret Irini Qirjako, Greta dhe Eni Koçi e shumë të tjerë, të cilët nuk janë larguar pa pasur edhe një kujtim me kalanë e pa bërë një foto me të. (Buzëqeshin)
– Ju organizoni edhe mbrëmje me muzikë live?
– Po, dhe kemi shumë sukses. Ofrojmë muzikë live nga artistë të mirënjohur e nga zhanre të ndryshme muzike si për Ditën e Verës për shembull, kur ndodh që nuk kemi vende ndonjëherë, pasi kemi 400 – 500 vetë në verandat tona. Disa këngëtarë kanë realizuar edhe klipet e tyre te Bar Restorant Kalaja Balla.
Shkënder Balla: – Goca ime u tregon shokëve dhe shoqeve të saj që tashmë kala nuk ka vetëm Elbasani, por edhe Librazhdi e mburret me këtë fakt.
Shkëlqim Balla: – Kalaja është një vlerë për Librazhdin, si për stilin, ashtu edhe për objektet e rralla historike që kemi mbledhur dhe i kemi ekspozuar si stoli brenda saj. Këtu aktivizohen dhe argëtohen qytetarët e Librazhdit në evente të ndryshme, por jo vetëm.
– Mund të na tregoni ndonjë eveniment të veçantë që keni organizuar?
– Përveç seminareve dhe trajnimeve nga shoqata prestigjoze ndërkombëtare, mund të përmend disa dasma italiane që janë bërë këtu, por edhe raste të tjera ku ne kemi gatuar sallata nga më të ndryshmet, perime zgare maqedonase, pije dhe verë nga kantina e mirënjohur e verës Librazhd, apo dhallë nga kosi i freskët. Mbaj mend njëherë kur na erdhën gjithë ata autobusë me turq dhe gatuam 12 tepsi me byrekë të çastit. Apo kur na erdhi një grek dhe tha: “Po e ndiej veten si në shtëpinë time”. U habit ngaqë gjente gjërat që donte edhe kur ishte në Greqi.
– Kur është piku i fluksit në bar restorant Kalaja Balla?
– Periudha korrik-gusht, ku ne mirëpresim shumë turistë nga Gjermania, Italia etj.
– Ju jeni afër Parkut Kombëtar që është edhe zonë e mbrojtur, Shebenik Jabllanicë…
– Po, madje shpeshherë këtu mund të shihen kafshë të rralla nga ana e matanëlumit, si lepuri i egër, derri i egër dhe mund të shijosh një kafe në këngën e zogjve në mëngjesin e freskët me diell. Disa klientë mund të vijnë edhe të peshkojnë dhe ta konsumojnë në vend ushqimin e freskët. Këtu përqark ka florë dhe faunë të pasur, të cilën ne e respektojmë dhe që të kënaq syrin. Ne ndiejmë kënaqësi kur klienti vjen dhe kënaqet, megjithëse është ambient i madh për t’u menaxhuar.
– Kujt ia dedikoni suksesin në këtë punë kaq të madhe që është bërë?
– Meritat i kemi të dy si vëllezër. Ne e kemi bërë punën me pasion qëkur kemi hedhur themelet për ngritjen e kalasë, me qëllim që të jetë trashëgimi për fëmijët tanë. Ndryshe nga shumë të tjerë, ia dedikuam vendit tonë të lindjes ngritjen e një kalaje dhe nuk emigruam, por qëndruam në vendin tonë, që të punojmë e ta bëjmë atë. Ne nuk do ta ndërronim apo ta shisnim kalanë për asgjë në botë, pasi është tamam si fëmija ynë. Kemi 5 vjet që vetëm kemi vënë mijëra e mijëra gurë së bashku për ta ngritur. Kemi investuar një pjesë të madhe nga jeta jonë, ndaj edhe punën me të e trajtojmë shumë seriozisht.
– Po lexuesve të intervistës tuaj, anembanë Shqipërisë, çfarë do t’u thoni?
– Që ne i mirëpresim të vijnë, të shijojnë ambientin dhe gatimet tona. Pse jo, të marrin një copë nga Shqipëria me vete. Të bëjnë një fotografi me gjithë këto objekte historike dhe kulturore që do t’i rrethojnë. Ne pranojmë edhe rezervime dhe kush është i interesuar, mund të na kontaktojë direkt.
Skënder Balla: cel. +355695524300
Shkëlqim Balla: cel. +355696289270
Adresa: Rruga Kombëtare, Elbasan – Librazhd, pranë çesmës së Myftarit (2 km larg Librazhdit).  

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot