Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Thursday, October 26, 2017

Si do të ndahen 81.660 vende pune në administratën e Shqipërisë

Si do të ndahen 81.660 vende pune në administratën e Shqipërisë

Fondi i transfertës për organet e pushtetit vendor në Republikën e Shqipërisë do të jetë vitin e ardhshëm 7 për qind më i lartë se këtë vit. 

Kjo del nga shifrat e Projektbuxhetit 2018, që kanë mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, pasi kanë marrë miratimin në qeveri. Fjala është për fonde që bashkitë mund t’i përdorin sipas nevojës, por edhe për ato që mund të përdoren vetëm në përputhje me kushte të caktuara dhe që nuk mund të transferohen nga pushteti vendor nga një sektor në një tjetër.
Ndarjet
Metropolet, sipas këtyre shifrave, duhet të jenë të kënaqur. Fondi në total psh për Tiranën do të arrijë në 24 milionë euro më 2018, që u shtohen taksave që grumbullon vetë Bashkia. Rritja krahasuar me vitin në vazhdim është e konsiderueshme: 12.3 për qind. Rritja për Durrësin është pak më e vogël, në masën 7.9 për qind. Ndërkohë që për Elbasanin do të jetë edhe më e lartë, 10.8 për qind nga sivjet. Korça do të ketë gjithashtu një buxhet nga qeverisja qendrore 8.9 për qind më të lartë, gati sa edhe rritja e Fierit. Vlora gjithashtu do të ketë një rritje të konsiderueshme prej 10 përqindësh. Të gjitha këto janë bashki që drejtohen nga partia socialiste, tashmë e vetme në pushtet.
Por nuk është harruar Bashkia e Shkodrës, pavarësisht nga fakti se aty drejton “problematikja” Voltana Ademi e PD-së. Për qytetin verior buxheti parashikon një fond 9.7 për qind më të larta se këtë vit. Po kështu, edhe Tropoja, në të cilën aktualisht po kryhen pas shumë e shumë vitesh amullie investime të shumta, për vitin 2018 do të marrë 11.6 për qind fonde, pavarësisht nga stoicizmi i votuesve të saj për ta mbajtur si bastion të Partisë Demokratike.
Edhe Kavaja, pavarësisht nga “kthimi i pllakës” politikisht, nuk do të përballet me ndonjë hakmarrje nga ana e qeverisë, pasi për Bashkinë e saj, deri dje të drejtuar nga Elvis Roshi i PS, do të hidhen 5.5 për qind më shumë fonde tani, që drejtohet nga eksponenti i PD-së.
Rekordet
Rekordet në rritje i mbajnë bashki të minoriteteve. Sipas Projektbuxhetit, Bashkia e Dropullit do të marrë 32.6 më shumë fonde vitin e ardhshëm, ndërsa ajo e komunitetit maqedon, Pusteci, do të ketë 32.7 për qind rritje buxheti nga fondet e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara bashkë. Nuk do ta ketë këtë fat Finiqi, ku fondet do të pakësohen me 2.1 për qind.
Rritje të konsiderueshme do të ketë buxheti i Bashkisë Konispol me 22 për qind më shumë nga sivjet, ai i Bashkisë Libohovë, me 30.9 për qind, por edhe Roskoveci (+18.3%)  Saranda (15.9%), Memaliaj (15.3%), Përmeti (14.5%), Shijaku (12.1%), Kolonja (11.9%), etj.
Në terren negative, veç Finiqit, kanë kaluar Cërriku me 0.1 për qind më pak nga sivjet, Delvina me 2.7 për qind më pak, Patosi me 2.2 për qind më pak.
Rekordin negativ e mban Bashkia e Peqinit, që do të marrë 13.2 për qind më pak fonde. Ndërkohë, Bashkisë së Skraparit, të drejtuar nga ish-aleatja LSI, për vitin e ardhshëm do t’i akordohen 2.8 për qind më pak fonde nga ato, që janë planifikuar për vitin 2017.
Si do të ndahen 81.660 vende pune në administratë
Në Projektbuxhetin 2018 tendenca e përhershme e pakësimit të administratës publike është ndjekur, por në shifra minimale. Vitin e ardhshëm qeveria propozon që të jenë në punë me pagesë si punonjës buxhetorë 81 mijë e 410 vetë, ndërkohë që për këtë vit janë planifikuar 81.718 punonjës. Pra, stafet e administratës do të pakësohen me 308 vetë. Por, ndërkohë, pritet që të ndodhë një shtesë e mëvonshme, pasi, po në këtë dokument, parashikohet edhe një grup prej 230 vetësh, që do të jenë si rezervë për institucionet e reja të drejtësisë, që do të krijohen. Kjo, ndërkohë që janë të përfshirë në buxhet 50 punonjës për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe 37 të tjerë për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, çka do të thotë që planifikohen 317 vende në administratën e magjistraturës, nga të cilët, për 230 prej tyre ende nuk janë përcaktuar afatet se kur do të fillojnë punë.
Reforma në administratën qendrore e bën të vështirë të krahasohen me saktësi ndryshimet e personelit. Kjo, pasi shumë ministri janë shkrirë fare dhe disa funksione kanë kaluar nga njera ministri tek tjetra. Kështu për shembull, duket sikur Kryeministria ka bërë “masakër”, pasi, nga 646 punonjës që ka aktualisht, stafi pranë kryeministrit kalon në vetëm 150 vetë. Pra, katër herë më pak. Por kjo shpjegohet me ndryshime në kompetenca të disa institucioneve, të cilat më parë qendronin nën “ombrellën” e Ramës, për t’u shpërngulur pranë ministrive të tjera, ose për të dalë si institucione jo në vartësi direkte të Kryeministrisë.
Stafi më i madh administrativ do të jetë në vartësi të ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me 31 mijë e 4 vetë. Ndërkohë, psh ministria e Jashtme, që ka tërhequr edhe personel nga ish-Integrimi, nuk i ka marrë dikasterit të shrirë 113 punonjësit, por vetëm 50 prej tyre, duke shmangur personel ndihmës apo mbështetës. Ministria e Brendshme do të punojë me 60 vetë më pak, ajo e Mbrojtjes me 100 vetë më shumë,, etj.
Presidenca do të shtojë edhe 10 punonjës të tjerë në stafin e saj, duke kaluar nga 76, në 86 vetë.   
Sipas projektligjit, Këshilli i Ministrave mund të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve, në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo krijimit të institucioneve të reja. Por rishpërndarja e numrit të punonjësve të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe e numrit rezervë të tyre bëhet nga Këshilli i Ministrave, pas miratimit paraprak nga Kuvendi.
Për vitin 2018 nuk parashikohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave përcakton edhe një numër maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror. 





No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot