Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Sunday, October 8, 2017

Peqin/ Grupi i gatshëm masakron të dënuarin në qelinë e burgut


Një skandal ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë Peqinit më 30 shtator 2017. Një i dënuar V.G. është masakruar në qelinë e tij nga Grupi i gatshëm, i cili kishte ardhur me pretekstin për të ushtruar kontroll. Por, pas rrahjes makabre, nuk ka ushtruar kontroll. 

Çështja njoftohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që e ka hetuar dhe ka zbuluar se kjo ngjarje është fshehur: Dëmtimet e të burgosurit nuk janë prezantuar në kartelën mjekësore, asnjë punonjës nuk ka bërë kallëzim dhe drejtuesi i burgut deklaron se nuk ka dijeni për atë që ka ndodhur.

Deklarata e plotë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bazë të një sinjalizimi se, në IEVP Peqin është ushtruar dhunë ndaj një të dënuari, në dt. 04.10.2017 kreu një verifikim nga ku rezultoi se, në dt. 30.09.2017, rreth orës 22.30, në Sektorin e 

Sigurisë së Lartë të IEVP Peqin, Grupi i gatshëm i Policisë së Burgjeve ka ushtruar kontroll për sende të ndaluara. Gjatë këtij kontrolli, uniformat e policisë së burgjeve janë futur në qelinë nr. 12, të këtij sektori, ku kanë pyetur të dënuarit e pranishëm nëse kishin sende të ndaluara. I dënuari V. G., është përgjigjur se nuk kishin sende të ndaluara. Pas kësaj përgjigjeje, i dënuari V.G pretendon se punonjësit e Grupit të gatshëm e kanë goditur atë me shkopinj gome në pjesë të ndryshme të trupit si në shpinë, bark dhe shputat e këmbëve.

Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KShH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta.Të njëjtat rrethana të kësaj ngjarje u konfirmuan edhe nga i dënuari tjetër L. G., i pranishëm në të njëjtën qeli.

Në fakt, pas ushtrimit të dhunës, Grupi i gatshëm nuk ka kontrolluar qelinë për sende të ndaluara. Në dt. 02.10.2017, ditën e hënë, i dënuari V. G., deklaroi se është vizituar nga një infermier në spitalin e IEVP Peqin.Grupi i KShH kqyri kartelën personale mjekësore të të dënuarit dhe Librin e Shërbimit 24-orësh të urgjencës ku nuk figuronte asnjë e dhënë lidhur me vizitën apo shenjat e dhunës.

Në takim me drejtuesin e IEVP Peqin mësuam se, për këtë ngjarje kishte patur dijeni shefi i regjimit të brendshëm të burgut ndërsa vetë drejtuesi i IEVP Peqin nuk dinte gjë.


Çdo punonjës i IEVP Peqin që ka marrë dijeni për këtë ngjarje kishte detyrimin ligjor të bënte menjëherë kallëzim penal pranë organeve kompetente. Është tepër shqetësuese neglizhenca ndaj kësaj ngjarje tepër flagrante, nga personeli që ka patur dijeni për të. KShH vlerëson se ngjarja e mësipërme në të cilën është ushtruar dhunë fizike ndaj të dënuarit është shumë e rëndë. Ajo përbën vepër penale, madje në vështrim të Nenit 3, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka elementë të trajtimit çnjerëzor. KShH e dënon këtë vepër dhe kërkon verifikime të mëtejshme dhe marrjen e masave përkatëse ndaj personave përgjegjës.


No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot