Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Friday, October 13, 2017

E rrallë, ja misteret që po nxjerrë në pah kalaja e Elbasanit

Çdo ditë të re mund të themi se ky qytet i mesit të Shqipërisë zgjohet i dyfishtë: qyteti i kohës së sotme – Elbasani, dhe Skampa e lashtë, që fle e zgjohet nën të.

Ka disa momente kulmore në jetën dhe veprimtarinë shekullore të këtij qyteti arsimdashës, kulturëdashës dhe paqedashës. Jo më larg se dhjetë muaj pas Kongresit të Manastirit, një tjetër kongres kombëtar u mbajt në Elbasan. Ai njihet si Kongresi i Elbasanit, një ngjarje e shënuar mbarëkombëtare në historinë e arsimit, shkollës dhe kulturës shqiptare.

Porta e kalasë, si një ftesë e hapur, të fton në brendësi të saj. Nëpër rrugicat me kalldrëme të hershme, po ato shtëpi me arkitekturën e tyre origjinale. Një përkitje interesante: kjo lagje sot ka 4 mijë banorë, po aq sa ka pasur në fillimet e saj. Nëpër labirintet e saj ka aq histori. Vizitori gjen pranë e pranë dy objekte kulti: xhaminë dhe kishën, varrin e Kristoforidhit, shkollën e parë shqipe të qytetit aty ngjitur me kishën, Hamamin e Grave… Rrapi i Bezistanit është një nga simbolet e qytetit.

Në fundin e shek. XIX qyteti i Elbasanit ishte ndër qytetet më të rëndësishëm të Shqipërisë. Shtrirja dhe zhvillimi i këtij qyteti i jepte atij një rëndësi të veçantë, duke e konsideruar si një vatër të fuqishme të kulturës. Të dhënat nga arkivat e ndryshme dhe shënimet e udhëtarëve të huaj dëshmojnë se qyteti i Elbasanit renditej ndër qytetet e para të trevave shqiptare, si për nga zhvillimi ekonomik e shoqëror ashtu edhe atij kulturor e arsimor.

Gjatë Rilindjes Kombëtare në Elbasan zhvillohej një luftë e zjarrtë për emancipimin shoqëror, politik e kulturor. I përfshirë si i gjithë vendi në lëvizjen e madhe të Rilindjes, Elbasani i parapriu proçesit të formimit të vetëdijes kombëtare, të zhvillimit të arsimit, të diturisë dhe të ideve kombëtare, që ishin shkrirë në një lëvizje të fuqishme, e cila çoi më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë së vendit. Gjatë kësaj kohe nga rilindasit elbasanas u bënë përpjekje të vazhdueshme për lëvrimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe dhe rritjen e ndërgjegjes politike.

Periudha viteve 1921-1924 në shumë momente është e mbarsur me ide intelektuale qytetare, që shpesh marrin formën e anonimatit, pasi me to veprojnë grupe individësh apo një masë më e gjerë intelektualësh. Në këtë rast intelektualizmi është shenjë e një mjedisi të tërë. Në këtë periudhë dëshmitë e kësaj natyre janë të shumta. Ato flasin me gjuhën e qytetërimit, duke nënkuptuar se nuk janë të rastësishme, por rrjedhojë e një trualli të begatë. Ky mjedis gjen shprehjen në kontributin e intelektualëve që vinin të formuar nga shkolla të Evropës.

Kalaja e Elbasanit së bashku me muret rrethuese, tregon për rëndësinë ushtarake të qytetit të Elbasanit në periudhën e hershme Osmane. Kalaja e elbasanit ka formën e një katërkendëshi kënddrejtë me dimensione 308 x 348 m, e orientur me anët më të ngushta në drejtimin VL – JP.
Të katër qoshet forcohen nga kulla të fuqishme, që dalin me faqe të drejta nga muret dhe pastaj rrumbullakosen. Kullat ndërmjetëse, me perjashtim të dy prej tyre që kane patur trajtë katërkëndëshe, kanë formë planimetrike të gërmes U.
 Ato dalin jashtë mureve 8-9m, dhe janë të vendosura 40 -50 m larg njëra tjetrës. Me përjashtim të murit jugor dhe një pjese të atij perëndimor, të cilët ruhen më mire, muret e tjera janë rrënuar pothuajse krejtësisht. Nga 26 kulla, që ka patur kalaja, sot ruhen vetem 8, nga të cilat 6 në murin jugor dhe 2 në atë perëndimor. Ndërsa nga të tri hyrjet, të cilat kanë qenë të vendosura në mes të mureve jugor, perëndimor dhe lindor, ruhet sot në gjendje gjysmë të rrënuar, vetëm hyrja jugore. I gjithë ndërtimi ka qenë i rrethuar nga një hendek i thellë, gjurmët e të cilit nuk diktohen më. Sic dukej ky kanal mbushej nga ujërat e perroit të Zaranikes. Po te vësh re planimetrinë e kalasë të bie në sy simetria e rreptë e këtij ndërtimi.

Nga ekzaminimi i mureve kemi vëne re tri periudha të ndryshme ndërtimi, përvec riparimeve të tjera më pak të rëndësishme. Këto periudha u përkasin: 1- Kohës së vonë antike 2- Bizantine të hershme 3- Mesjetës turke.
Kalaja e Elbasanit së bashku me muret rrethuese, tregon për rëndësinë ushtarake të qytetit të Elbasanit në periudhën e hershme Osmane. Muri jugor, pak a shume i plotë, dëshmon për përmasat dhe fuqinë e fortifikimeve si dhe një pjesë e materialeve nga periudha romake e bizantine që janë përdorur gjatë rindertimit nga Mehmeti II, mund të shihen qartë në themelet ekullës jug perëndimore. Kjo kala ka pasur 26 kulla në largësi të barabartë nga njëra tjetra, gjatë gjithë murit me lartësi 9 m. Në këtë fortesë përfshihet një pjesë e “Via Egnatia” që kalon përmes saj.

Elbasani njihet si qytet i lashtë, ku monumentet kulturore janë nga më të rrallat që mund të preken në Shqipërinë e Mesme. Një prej atyre, që kanë zënë vendin e merituar në botën e monumenteve të kulturës së ngulitur shqiptare, është kalaja në qendër të qytetit. Këtë vlerësim e kanë bërë edhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës, por edhe të mbarë Shqipërisë.

Kalaja 2000 vjeçare është një ndërtim romak, ngritur në fillim të shekullit III të erës sonë si një kështjellë ushtarake për strehimin e një legjioni dhe për të siguruar kontrollin e rrugës Egnatia, që në atë kohë ishte një arterie e rëndësishme e Perandorisë Romake. Luftërat barbare gjatë shekullit IV dhe V e.s. sollën shkatërrimin e kështjellave, dhe u desh dora perandorit bizantin me origjinë Dardane Justinian, që e rindëroti kështjellën mbi themelet e vjetra. Sot ruhet vetëm porta jugore e kalasë.
Kështjella ka qenë rrethuar me një hendek, që mbushej nga devijimi i përroit të Zaranikës.

Brenda kësaj kalaje gjenden aq shumë monumente kulture, sa edhe potencialet intelektuale të kulturës kombëtare, se pikërisht atje ku gjeneronte kultura e mendjes, gjeneron edhe kultura e arkitekturës. Kisha katolike unite, kisha ortodokse “Shën Maria”, shkolla e vjetër e Kalasë, xhamia Mbret apo hamami i vjetër i grave, ashtu si edhe kulla e sahatit apo çdo shtëpi e rrugicë e kësaj Kalaje ka vulën e historisë. Por ky monument i gjallë është shkatërruar mbas kthimit të sistemit, kohë kur edhe kalaja e qytetit u prek nga ndërtimet pa leje dhe deformimit që ju bënë arkitetkturës së vjetër me ndërtimet moderne, që ja humbën bukurinë e lashtë.
 Por tashmë, në kuadër të një projekti strategjik për rivitalizimin e kalasë së qytetit të Elbasanit, si një nga objektet më të rëndësishme kulturore të qytetit në vitin 2006, me iniciativë të Kryetarit të Bashkisë Ardian Turku, u bë e mundur të realizohet një projekt me bashkëfinancim nga Bashkia Elbasan, Universiteti i Pizës dhe Ministria e Kërkimit Shkencor të Italisë. Projekti është emëruar “Njohja, ruajtja dhe vlerësimi i Kalasë së Elbasanit”.

 Aktualisht Bashkia e Elbasanit, që në fillimet e hedhjes së projektëve, e ka ndërprerë dhënien e lejëve të ndërtimit brenda në kala. Kjo iniciativë i lë hapsirë projektit të studimit, që ka si qëllim kthimin e Kalasë me karakteristikat e saj muzeale, që ka patur gjithmonë.

Territori ku shtrihet Kalaja e Elbasanit duke përfshirë dhe rrënojat e bazilikës pranë saj, gëzon statusin Zonë Arkeologjike A e shpallur me VKM nr.445, datë 09.06.2010 “Për shpalljen e zonës arkeologjike “A” të qytetit të Elbasanit dhe miratimin e rregullores së administrimit”. Monumentet e Kultures në brendësi të mureve të Kalasë:
1. Kulla e Sahatit (Monument Kulture i Kategorisë I)
2. Kisha Fjetja e Shën Merisë (Monument Kulture i Kategorisë I) 3. Xhamia Mbret (Monument Kulture i Kategorisë I)
4. Hamami I vjetër (Monument Kulture i Kategorisë I) 5. Shkolla Kostantin Kristoforidhi dhe Varri pranë saj (Monument Kulture i Kategorisë I) 6. Shtëpia Muze e Kostantin Kristoforidhit (Monument Kulture i Kategorisë I) 7. Banesa e Staf Papanikoll Papajanit (Monument Kulture i Kategorisë I) 8. Banesa e Elena Papajanit (Monument Kulture i Kategorisë I) 9. Banesa e Ikbale bumçit (Monument Kulture i Kategorisë I) 10. Burgu dhe qelitë e tij (Monument Kulture i Kategorisë II) 11. Ish Muzeu i Luftës , Rr. “Janaq Kolica” (Monument Kulture i Kategorisë II) 12. Ndërtesë 2 Kate ne Rr. Rinia ngjitur me murin e Kalasë .





No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot