Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Sunday, September 3, 2017

Vilson Blloshmi e Genc Leka në grahmat e fundit të jetës/ Ja çfarë thanë

Komunizmi ka lënë disa plagë gati të pashërueshme jo vetëm në mendimin e lirë të shumë prej nesh, por edhe në jetën artistike e kulturore me censurimet, burgosjet e internimet.
Një nga ata “Mësues të popullit” që do të kishte fat tragjik do të ishte edhe “Martiri i Demokracisë”, Vilson Blloshmi, i  cili në atë kohë ishte vetëm 29-vjeç.
Se si ka qenë jeta e tij dhe si ka arritur që të marrë këto dy tituj, sigurisht pas vdekjes, na tregon më shumë materiali i mëposhtëm  të marrë nga libri “Rrëfime nga Ferri Komunist” i Bedri Blloshmit.
Vilson Blloshmi lindi me 18 mars 1948, në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në Bërzeshtë, ku dalloi si një nxënës si shkëlqyer, kështu që familja vendosi ta dërgonte në Elbasan, ku ai mbaroi edhe shkollën Pedagogjike. Për arsye të biografisë, Vilsonit nuk mund t’i jepej bursë për të vazhduar shkollën…
Ai e filloi Pedagogjiken si nxënës i jashtëm. Rrinte te një mik i largët i familjes, e cila e paguante kët mik për të gjitha detyrimet që i duheshin për mbajtjen e Vilsonit. Në vitin 1963, i arrestuan babanë, Samiun. Vilsoni kthehet në shtëpi shumë i mërzitur dhe i tha xhaxhait, Bukuroshit, se “…do ta linte shkollën, pse nuk donte t’i bëhej barrë familjes…
“Do të vij të punoj me ju në Stravaj!”, e mbyll bisedën Vilsoni. Xhaxhai, Bukuroshi, i mërzitur nga burgosja e të vëllait tjetër dhe nga hallet që sa vinin e shtoheshin, i thotë të nipit se “…duhej të vazhdonte shkollën dhe se detyra e tij e vetme ishte: Të mësonte, të mësonte dhe vetëm të mësonte!”
Por Vilsoni këmbënguli në vendimin e tij, atëhere xhaxhai e urdhëroi të kthehesh në shkollë… Vilsoni në vitin 1966, mbaroi shkollën pedagogjike dhe u diplomua. Pas kësaj, ai u paraqit disa herë në drejtorinë Arsimore të rrethit të Librazhdit, por ata nuk e morën parasysh asnjëherë diplomën e tij.
Kjo diplomë mbeti një copë letër pa asnjë lloj vlere… Meqë Blloshmët nuk ishin anëtarë të kooperativës, (sepse kulakët nuk pranoheshin në kooperativë), Vilsoni u detyrua të punonte në Stravaj, ku bënte vetëm punë të rënda krahu.
Në dhjetori të vitit 1968, e thirrën për të bërë shërbimin ushtarak, shërbim të cilin ai e kreu në Tale të rrethit të Lezhës, në brigadë pune. Atje ai njohu një prift, i cili e ndihmoi të studionte gjuhët e huaja… duke i dhënë një mori librash.
Meqënëse në maj të vitit 1968, Blloshmët u lejuan të futeshin në kooperativë, Vilsoni mbasi mbaroi kryerjen e shërbimit e detyruar ushtarak, në vitin 1970, filloi edhe ai punë në kooperativë. Punët që kryente Vilsoni ishin nga më të rëndomtat si kafshar, roje, bari lopësh dhe në fund punëtor krahu në bujqësi.
Gjatë periudhës së dimrit, kur bënte roje në malin e Turjes dhe në mes të borës, miqtë e tij të vetëm ishin librat, ariu dhe ujqërit. Në vitin 1975, e hoqën nga miniera e Prrenjasit ku punonte 1500 nëntokë dhe e çuan të punonte sërish në kooperativë. Në nëntor të po këtij viti, Vilsoni u martua, dhe me 9 shtator 1976, i lindi vajza që e quajti Enrieta. Me 5 Gusht të vitit 1976, Vilsonin e arrestuan në Librazhd dhe e nisën menjëherë për në Tiranë.
Pas një viti torturash, si në hetuesinë e Tiranës edhe në atë të Librazhdit, ku i gjymtuan dorën e majtë nga prangat, të cilat nuk ia hiqnin gjatë njëzet orëve, me 6 qershor të vitit 1977, e nxorrën në gjyqin formal, pasi vendimi qe marrë me kohë në Komitetin e Partisë. Pretenca u dha: “Dënim me vdekje… (Pushkatim).
Vendimi i gjyqit të 13 qershorit 1977, vendim i cili nuk ndryshoi, as në seancën e gjykatës së Lartë dhe as në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kështu më 17 korrik 1977, u zbatua urdhëri i Ministrit të Punëve të Brendëshme, i cili urdhëronte, ekzekutimin e Vilson Blloshmit në orën 00:00…
Rrëfimi i shokut të qelisë
“Vilsonin e kishte prerë lodhja, qëndronte shtrirë. Kur i mpihej njëri krah Vilsoni më lutej ta ktheja në tjetrin. Bënte shumë vapë dhe trupi i djersitej. Flokët i binin vazhdimisht. Të dy supet i ishin rrjepur ngaqë rrinte vetëm shtrirë. Duart i mpiheshin dhe njërën prej tyre e kishte të paralizuar që nga torturat në qelitë e Tiranës.
Gishta e duarve kishin filluar t’i nxiheshin. Kishte plagë tek supet, krahët dhe kofshët. Ishin bërë 35 ditë kur e kishin lidhur duar e këmbë dhe me helmetë në kokë. Porta e hekurit u hap me një zhurmë rrëqethëse.
U dëgjuan zëra dhe biruca Nr 1. ku dergje Genci u hap. Pastaj u hap porta e madhe e cila është jashtë. Me sa kuptova aty po ndodhte diçka. Dëgjova vetëm hapat dhe asnjë zë. Mendova se mos kishte ardhur falja dhe Gencin e zgjidhën.
U dëgjuan zëra dhe hapa që po afroheshin. Shuli i deerës së birucës ku ishim unë dhe Vilsoni kërciti me një zhurmë po aq rrëqethëse dhe dera u hap. Përsëri mendova se duke ardhur edhe tek ne i kishin falur jetën dhe Vilsonit. Ai rrinte shtrirë dhe i përgjumur me kurriz nga dera. Sapo dera u hap, Vilsoni lëvizi.
-Rustem, -foli ai,- kush është?
Brenda u futën Selimi, hetuesi Lulo Ymeri, shefi i policisë Nazmi Kodra dhe përgjegjësi i birucave.
Shefi i hetuesisë i qeshur i tha Vilit: -Të pata thënë?! Ja fundi erdhi. Korridori ishte plot me policë dhe civilë.
E ktheva Vilsonin dhe ia fërkova duart si zakonisht. Pastaj e ngrita dhe e mbështeta pas murit. Kur ata ia zgjidhën litarin nga këmbët, e duart ia lanë ende të lidhura u binda plotësisht se kishin falur. Unë shtanga, rrija pas murit dhe nuk guxoja të lëvizja as qepallat. Atë natë askush nuk fliste, vetëm heshtje.
Kishin vendosur ta vrisnin?! Jo, jo. Kjo gjë s’kishte pse të ndodhte. Vilsoni nuk kishte bërë asgjë për ta vrarë. Ai kishte lexuar vetëm libra. E kapën për krahësh dhe e ngritën në këmbë. Kur e ngritën te dera i hodha xhaketën krahëve. Ai më pa në sy dhe pa iu dridhur qerpikët më tha:
-Rustem! Ma bën hamall shërbimin që më ke bërë gjithë këto ditë. Të lutem ma bëjë hallall.
Un ngriva në vend, po e merrnin me duar lidhur prapa dhe me helmetën në kokë. Buza më dridhej dhe nuk arrita t’i them asnjë fjalë. Lotët filluan të më rridhnin faqeve.
-Rustem, po të lë një amanet vazhdoi Vilsoni. -Kur të dalësh nga burgu të shkosh në familjen time dhe t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova sepse nuk kamë bër asgjë. Ne ishim bashkë në gjyq. Këto që po të them janë të vërteta, ti e di. Diana me gocën të shohin punën e tyre. Ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet. Këto do t’ua thotë edhe Bedriu kur të lirohet por atë e kanë dënuar shumë. Edhe njëherë ma bëj hallal Rustem? La,tumirë. Lamtumi…
-Hajde tani bërtitën policët që e mbanin për krahësh.”
Këto janë momente më të dhimbshme që shoku i qelisë Rustem Dashi i përjeton edhe sot e kësaj dite me drithërimë.
Ndërsa tregon se atë natë, vëllait të Vilsonit, që ishte në qelinë përbri i kishin hedhur doza të mëdha me ilacc gjumi, që të mos merrte vesh daljen e Vilsonit dhe Gencit jashtë qelisë dhe jashtë portës burgut, ku këto dyer lëshonin kërcëllima shumë të rënda.
Duket se të burgosurit e kishin mësuar gjuhën e kërcëllitjeve dhe çfarë kobi sillnin ato. Ndërsa Rustem Dashi kujton ato çaste makthi në qeli, Bedri Blloshmi e kujton kështu ngjarjen një natë më pas “Atë natë policët më dhanë ushqim me forcë.
“Rashë në gjumë i vdekur. (ata diçka më hodhën në ushqim). Kur u ngrita në mëngjes për të shkuar në banjë, hodha sytë nga birucat e Gencit dhe të Vilsonit, por polici nuk ishte. Më ra të fikët. Të nesërmen në drekë mund të dilja pak nga kllapia, Gencin dhe Vilsonin e kishin vrarë atë natë të nxehtë korriku…”.
Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977. Trupat e të rinjve u flakën në të njëjtën gropë të fshehtë në një zonë të shkretë e të thellë pranë një përroi në fshatin Bërzheshtë të Skraparit. Pas demokracisë, një bari që kishte parë ngjarjen guxoi të thoshte ku i varrosën poetët.
Gjatë viteve 1966¬1976, Vilsoni krijoi në shtëpi një biblotekë të pasur me autorë të huaj, kryesisht francezë. Studionte ditë e natë pa hequr nga samari i mushkës si librin ashtu dhe fletoren e tij të përkthimeve.
Autorët e tij më të preferuar ishin Viktor Hygo, Lukreci, Shatobriani, Lamartine, Edgar Allan Po, Theofil Gotje, Rasin, Sharl Bodler, Paul Verlen, Mallarme, Pol Klodel, Artur Rembo, Gijom Apollinere, Pol Eluard. Veprat e të cilëve i përkthente nën dritën e kandilit dhe në flakën e zjarrit, në mes të borës ose si roje në Pyllin e Turjes, kur punonte në sektorët e Holtës, Bllatës apo Lirasit…
Për të udhëtuar drejt Tiranës pasi linte punën nga nëntoka e minierës së Prrenjasit, merrte trenin e mbrëmjes duke udhëtuar kështu gjitha natën, dhe po natën kthehej në shtëpi i ngarkuar me libra. Asnjeri nuk e dinte nëse kishte ndonjë mik, ose shok në Tiranë, Elbasan a Korçë, të cilët ta ndihmonin të gjente këto libra.
Me ndërrimin e sistemeve filloi edhe rehabilitimi i figurave dhe personaliteteve të persekutuara nga sistemi diktatorial. Kështu në vitin 1994, ditën e rivarrimit, presidenti i athershëm Sali Berisha, i dha Vilson Blloshmit dekoratën “Martir i Demokracisë”. Në vitin 1995, nji nga shkollat nëntvjeçare të Librazhdit mori emrin Vilson Blloshmi, dhe po këtë vit, Vilsoni dekorohet “Mësues i Popullit”.

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot