Është vetëm 17 vjeçe,
por duket e vendosur për të arritur atë që dëshiron në jetë. Eriselda Tërnova
është vajza nga Librazhdi e cila sapo i është futur botës së modës dhe deri
tani, ka arritur të rrëmbejë dy çmime, jo pak të rëndësishme.
Eriselda ka fituar
çmimin “Shoqëruesja e Parë” në Miss Egnatia dhe “Miss Eleganca” në
kompeticionin Miss Adoleshenca 2017.
Është nxënëse në vitin
e fundit të gjimnazit në shkollën “Shefqet Dosku” Dorëz dhe teksa ecim në
rrugicën para shkollës, më tregon me një emocion të madh për dëshirat në të
ardhmen dhe se si nisi gjithçka krejt papritur, atëherë kur nuk e kishte
menduar se do të arrinte diçka, të paktën në një moshë të tillë.
Eriselda thotë se
dëshirën për botën e modelingut e ka pasur që në moshë të vogël, por nuk e
kishte menduar se do të bëhej pjesë e saj, pasi si shumë vajza që nuk
realizojnë dëshirat e tyre, për shkak të frikës dhe mungesës së guximit, edhe
ajo ndiente pak ndrojtje dhe ishte e idesë se kjo nuk i përshtatej.
“Ishte një prej
organizatorëve të një evenimenti, ku më parë kisha qenë në disa seminare që më shtyen
të marr pjesë. Mendova: Pse mos ta provoj? Jemi kalimtarë të rastësishëm në
këtë botë, por të paktën të provojmë shanset që na jep jeta, për të lënë
gjurmët tona”, – shprehet ajo.
E sigurisht,
mbështetjen më të madhe e ka gjetur dhe tek familja e saj.
“Pa mbështetjen e
familjes, nuk mund të ndërmarrim asnjë hap. Ata kanë qenë mbështetja ime e
madhe në çdo gjë dhe vazhdojnë të jenë”, – vazhdon ajo.
Por, nuk ka si të
ndodhë ndryshe. Një rol të madh luan edhe shoqëria në këtë moshë. Është
pikërisht faza kur ke nevojë për një mbështetje të madhe dhe Eriselda thotë se
këtë e ka gjetur tek miqtë e saj.
Dhe, kur ke miq të
vërtet, sigurisht që ndihesh i motivuar dhe Eriseldës nuk i mungon ky motivim.
Por, çfarë synonte ajo
para botës së modës, deri ku shkonte horizonti i saj dhe çfarë mendonte për të
ardhmen?
“Unë vazhdoj t’i
qëndroj besnike botës së modës, por me një synim të vetëm. Synimi im është
Psikologjia. Dëshiroj shumë të bëhem psikologe. Dua shumë të ndjek nga afër
problemet e njerëzve, e të bëhem ndihmë për ta. Dhe e them me plot bindjen se
do të punoj fort për të arritur këtë gjë. Bota e modës është një preferenë për
mua, por nuk ka ndryshuar asgjë përderisa i përket synimeve të mia”, – thotë
ajo.
Ajo që bie më shumë sy
në këtë bisedë, është fakti se Eriselda është e vendosur të bëjë realitet
ëndrrat e saj. E këtë po e arrin vetëm duke u fokusuar në atë që do.
“Nuk mund të them se
moda nuk bën pjesë në planet e mia të ardhme, por koha është e kufizuar dhe
mendoj t’i kushtoj një pjesë të vogël asaj, pa anashkaluar dëshirat e tjera.
Fokusi im për momentin janë studimet”, – përfundon ajo.
Me shpirtin krijues dhe
instinktin e një vajze të guximshme, Eriselda thotë se të rinjtë duhet të
zgjohen dhe të kenë më tepër vullnet për të marrë nisma. Për të asnjë punë nuk
është turp dhe gjithkush duhet t’i dijë t’i bëjë të gjitha, pasi ky është
çelësi i suksesit.
No comments:
Post a Comment