Emërimi i anëtarëve të rinj, përfaqësues të Ministrisë, në Bordin e Administrimit të Universitetit të Tiranës është konsideruar shkelje e autonomisë financiare dhe ndërhyrje në funksionimin normal të universitetit nga disa drejtues të fakulteteve.
Por rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni e konsideron legjitime dhe kompetencë të ministres këtë ndërhyrje të saj.
“Bordi i Administrimit është i përbërë nga 7 anëtarë, përfaqësues të stafit akademik që përzgjidhen nga Senati akademik, përfaqësues me mandat 5-vjeçar, si dhe përfaqësues të ministrisë së linjës, që emërohen nga ministri”, thotë Mynyr Koni, rektor i UT-së.
I kontaktuar në telefon, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, profesor Artan Hoxha e konsideron të jashtëligjshme këtë ndërhyrje që shkel autonominë e universitetit, pasi sipas Hoxhës, ministrja përdor termin zëvendësim, që nuk është term juridik, ndërkohë që më parë duhej të shkarkonte bazuar në shkelje që 3 anëtarët mund të kishin bërë, e më pas të emëronte 3 emra të rinj.
Por duket se ndryshimi i emrave në bord fsheh interesa financiare, pasi është ky bord që shpall kriteret për përzgjedhjen e administratorit të universitetit, i cili kujdeset edhe për financat. Kriteret nuk janë shpallur ende që prej 8 muajsh, kur ky bord është konstituuar, dhe Universiteti i Tiranës ka funksionuar me kancelar.
“Kriteret për përzgjedhjen e administratorit janë kompetencë ekskluzive e Bordit të Administrimit”, u shpreh Koni.
Rektori Koni, vetëm para pak ditësh ka pezulluar kancelarin e UT-së, Robert Skënderi.
“Kam pezulluar kancelarin e universitetit, për arsye të mospërmbushjes së realizimit të detyrave funksionale të tij dhe të bllokimit institucional”, tha Koni.

No comments:
Post a Comment