Reklamo biznesin tënd këtu:

test

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Sunday, August 20, 2017

Kur dashuria ‘rrëzoi’ ligjet e Enver Hoxhës. Karmen, italiania që sfidoi komunizmin, jeta e saj e trishtë

Kur dashuria ‘rrëzoi’ ligjet e Enver Hoxhës. Karmen, italiania që sfidoi komunizmin, jeta e saj e trishtë Pati vdekur në spitalin e burgut. Kur u kërkuan trupin, vetë drejtori, i cili dëshironte të mos ishte i ashpër, u tha se kjo gjë nuk ishte e mundur. Ishte rregull zyrtar.
Shtoi se për të vdekurin gjithsesi do të kishte një varr, por se ku ndodhej, nuk duhej ta dinin. Madje nuk duhej as ta kërkonin
Dhimitër Papastefani në atë fundvjeshtë 1963 sapo pati përfunduar në Tiranë studimet për mjek dhe prej fare pak kohësh kryente detyrën që i kishin caktuar. Ishte inspektor shëndetësie në Rrethin e Beratit, vendlindjes së hershme të familjes së tij, edhe pse i ati, tregtar manifakturash prej dy brezash, shkoi më pas në Elbasan dhe në Kavajë, duke u vendosur pas lufte përfundimisht këtu. Ndërsa një ditë inspektonte në qytezën e Urës Vajgurore, atë kohë bashkë edhe me Qytetin Stalin pjesë e të njëjtit qark administrativ, la një akt kontrolli. Në të, punonjësja sanitare, e cila e kishte emrin Roza dhe ishte italiane, qortohej për disa të meta. Kur bëri rikontrollin, vuri re se e paralajmëruara për masë ndëshkimore ende nuk i pati zbatuar të gjitha detyrat e lëna. Kështu nuk hezitoi t’i priste fletën e gjobës: pesëqind lekë. Atë kohë ishte sa një e teta e rrogës mujore.
Pas disa ditësh e thirrën në zyrë dy drejtuesit e tij kryesorë. Ndërsa priste ta falënderonin, ata i ndërhynë në të kundërtën. I thanë se Roza dallohej si punonjëse e mirë e shërbimit shëndetësor dhe defektet e gjetura qenë pa ndonjë rëndësi. Eprorët i propozuan një kontroll të ri, por që do ta kryenin së bashku. Kështu edhe u bë.
Ndërsa verifikimi përfundoi shpejt, italiania i ftoi në apartamentin e saj me dy dhoma të vogla dhe në këndin pranë dritares një tryezë nisi të bëhej gati për të drekuar.
Inspektorit gjithçka iu duk si e kurdisur, por nuk bëri zë. Në këtë moment në dhomë hyri një vajzë e bukur. Feksi. Ishte e zeshkët dhe me vështrim që shkëndijonte. Nisi t’i qerasë miqtë. Roza shpjegoi ndërkaq se ishte e bija, vajzë e vetme. Emrin e kishte Karmen.
Për Papastefanin ky çast do të kalonte pa lënë asnjë mbresë sikur papritur zemra t’i mbërthehej në ngërçin e një rrahjeje të çrregullt, si të përpëlitej. Iu terr vështrimi. Kur drita i rierdhi dhe gjithçka para syve iu kthjellua, vuri re se imazhi i vajzës së hijshme nuk ndodhej më para tij, si përmasë normale njeriu, por ishte kurmzvogëluar e bërë si kukull e qelqtë. Ishte futur brenda në bebëz dhe rrinte atje, si të ishte në pritje të një takimi intim me të.
U fejuan shumë shpejt dhe bashkë me këtë ngjarje ai mësoi se jo vetëm dy vëllezërit e Karmenit, Guido dhe Encio, por edhe i ati i saj, Milto Xhimitiku, patën kaluar burgime politike. Ndërsa dy të parët tashmë ishin të lirë, personi i cili do të kishte qenë vjehrri i tij, nuk jetonte më. Pati vdekur në Spitalin e Burgut. Kur u kërkuan trupin, vetë drejtori, i cili dëshironte të mos ishte i ashpër, u tha se kjo gjë nuk ishte e mundur. Ishte rregull zyrtar. Shtoi se për të vdekurin gjithsesi do të kishte një varr, por se ku ndodhej nuk duhej ta dinin. Madje nuk duhej as ta kërkonin.
Kur Karmeni dhe Roza i treguan këtë histori, Dhimitër Papastefani nuk pyeti më për hollësi të tjera. Atij i duhej të ruante e shpëtonte dashurinë e tij, si edhe familjen e ardhme. Ato nuk ia treguan ditët e para të fejesës zyrtare as foton e Milto Xhimitikut. Kur nisi ritin e vizitave te të afërmit e të fejuarës, në dhomën e pritjes së xhaxhait të saj Lilo Xhimitiku, i cili ishte fotografi më i njohur i qytetit, varur në mur, Dimitrit i mbeti vështrimi në foton e një burri me flokë të thinjur dhe me mustaqe të holla. Për të kjo ishte pamje mjaft e njohur. Atë njeri mund ta kishte parë e prekur mbi tridhjetë herë. Ishte një nga kufomat që përdornin në fakultet. E pati fiksuar në kujtesë që në vitin 1959, kur sapo kishte nisur studimet për Mjekësi. Në sallën e madhe të morgut, ndërsa nga duhma e formalinës të gjithëve u digjnin sytë, punonjësi i moshuar me emrin xha Naun, me një kanxhë hekuri u nxirrte nga vaskat, ku trupat notonin, atë kufomë që ata kërkonin. Ato nuk kishin emra, madje as numra. Identifikoheshin sipas ndonjë karakteristike të dukshme fizike. Kështu ai njeri që tashmë po e shihte në shtëpinë e xhaxhait të së fejuarës dhe që patjetër duhej të kishte një lidhje të afërt me ta, thirrej “ai me mustaqet spic”.

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot