Nuk ka qytet, vepër
madhore industriale, hidrocentral, fabrikë, uzinë, oxhak a furrnaltë e ndërtuar
në periudhën socializmit në Shqipëri, ku të mos jetë dora dhe mendja
gollobordasve famëmëdhenj në fushën e ndërtimeve. Megjithëse pa arsimin e duhur
teknik, madje edhe atë 8-vjeçar, ustallarët gollobordas, me një mendje të
guximshme inxhinierike, merrnin përsipër vepra të përmasave gjigante, të cilave
u frikeshin dhe shmangeshin njerëz “me një barrë mend” dhe “një barrë shkollë”.
Historia e këtyre njerëzve është e “shkruar në gur, në beton” në të gjithë
qytetet shqiptarë, të vjetër dhe të rinj. Larg familjes, në orët e vona të
mbrëmjes, në kapanone pupuliti dhe eterniti, më shumë se gëzimin e lindjes së
një fëmije, që e merrnin vesh nga një telegram trefjalësh apo një lajm-thirrje
telefonike, i linte pa gjumë zgjidhja e nesërme e një problemi të vështirë
teknik që ekuivalentohej mes jetës, burgut dhe vdekjes.
Sot, kur shumica e
atyre heronjve nuk jeton më, një pjesë tjetër që janë të moshuar, vështirë t’i
besoj njeri për atë që kanë bërë dhe atë që kanë hequr. Sidoqoftë, kudo që ata
kanë punuar, kanë lënë gjurmë të pashlyera të njerëzve të heshtur, punëtorë e
të zotë, që më shumë se goja, u punonte mendja dhe krahu.
Duke qenë shtegtarë, me
një jetë interesante, të ndarë nga pjesa më e madhe e familjes, kryefamiljarët
që punonin larg, pas viteve ’90, filluan të bënin atë që bënë shumë zona dhe
fshatra të thella, të merrnin rrugët drejt qytetit, duke e boshatisur pothuajse
në mënyrë të pandreqshme vendlindjen e tyre të dashur, Gollobordën e bukur, me
emër të mirë, por edhe me një varfëri të skajshme që nuk e ndreqi dot kurrë
bishti i çekanit dhe i mistrisë.
Si të gjitha krahinat e Shqipërisë, edhe Golloborda
sot është shkretuar. Familjet që kanë mbetur aty, në mungesë të rrugëve,
jetojnë në një varfëri të skajshme. Golloborda dikur, edhe pse një vend malor,
në bujqësi dhe blegtori konkurronte me zonat fushore të Shqipërisë. Zona e
Klenjës ishte ndër tre më të famshmet në Shqipëri për prodhimin e patates, së
bashku me Kukësin dhe Korçën. Dikur në fshatrat e Klenjës, Gjinavecit,
Steblevës është arritur të prodhohej deri në 47 mijë kuintalë patate në vit!
Veç patates, zona ishte e njohur edhe për prodhimin e thekrës, grurit dhe
misrit. Gollobordasit kanë qenë mjeshtër të ujitjes dhe të shfrytëzimit të
burimeve të ujit. Tregojnë legjenda për këtë, një nga të cilat ka qenë mjeshtri
popullor Gani Tuçepi që projektonte kanale dhe sifone jo me instrumente dhe
aparatura, por…me pushkë(!), Plumbi i dalë nga pushka është nivel, krijon një
vijë të drejtë të pagabueshme.
Shtëpi pa çati, toka të
papunuara, pleq të vjetër, që kalojnë tek tuk dhe që flasin në gjuhën e tyre,
krijojnë një kontrast të thellë me bukurinë, që i ka falur natyra kësaj zone.
Një traditë që nuk dihet për sa kohë mund të ruhet, sepse vendi tashmë është
pothuajse i braktisur, banorët janë shpërndarë gjithandej nëpër Shqipëri, por
më së shumti në Shqipërinë e Mesme, në Tiranë, Durrës e Elbasan. Nga rreth
10000 banorë që ishin para viteve ‘90, në të 16 fshatrat e zonës, sot kanë
mbetur rreth 1200.
Lajmi për ndërtimin e
Rrugës së Arbrit dhe ngritjes së pikës doganore janë sinjale pozitive, që kanë
ngjallur te banorët e ikur shpresat e dikurshme. Duket se zgjidhja më e mirë
për tokat e lëna djerrë është krijimi i fermave të mëdha, që do të prodhonin
patate, që mund t’i shisnin pa paguar doganë në Maqedoni, tashmë që me këtë
shtet ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë. Nuk duket ide e keqe as
rritja dhe mbarështimi i bagëtive në periudhën e verës, duke shfrytëzuar
kullotat e pafundme. Banorët presin dhe shpresojnë se tani që rruga do të shtrohet,
nuk do të jetë e largët dita që pikat turistike do të fillojnë të ngrihen në
malin e Raduçit dhe malet e tjerë të Gollobordës. Dhe bashkë me to do të
fillojnë të ripopullohen dhe zonat e braktisura. Megjithatë, siç duken bathët,
janë larg pashkët!
Është një shprehje e urtë popullore që në kohën e
sotme përdoret fare rrallë, pasi me komunikimin dixhital, edhe mund të mos
kuptohet, por që në fakt shpreh një filozofi të tërë. Na u kujtua kjo fjalë e
urtë, kur udhëtuam në disa fshatra të Gollobordës. Banorët e kësaj zone, të
braktisur nga shteti, shajnë pushtetarët që, kur kërkojnë votat, nuk lënë gjë
pa thënë dhe premtim pa bërë, por që harrojnë shpejt. Rrugët këtu janë të
periudhës së socializmit, të pashtruara dhe në disa fshatra të degraduara fare,
që nuk kalon as mushka. Me këdo që takuam, pakënaqësia ishte kthyer në mllef.
“Për ne, të rrojë Maqedonia, ajo po na mban! – thonë ata. Atje shkojmë kur kemi
ndonjë të sëmurë, kur shesim apo blejmë. Ne jemi shqiptarë, denbabaden me këtë
frymë jemi rritur, por nëse na pyesin dhe nëse bëhet me firmë, të gjithë janë
për kalimin e krahinës sonë me Maqedoninë, siç kemi qenë dikur, para 1913-ës.
Na ka vajtur thika në palcë, i kemi shkruar Grujevskit, presidentit maqedonas,
të na marrë. Këta tanët nuk duan të dinë fare për ne”.
Stebleva, një mrekulli
e fshehur turistike
Stebleva e Gollobordës, krahina mes Dibrës dhe
Librazhdit, është shumë afër, por edhe shumë larg për shkak të infrastrukturës
së munguar. Kujt i ka rënë rasti është çuditur me këtë perlë të paprekur të
turizmit malor dhe natyrës piktoreske. Është një zonë mes Librazhdit dhe
Peshkopisë. Ka vite që ka filluar rruga prej 26 km që lidh të dy krahinat, por
që është lënë në mes. Si pasojë e rrugës në dimër Stebleva braktiset nga
banorët, ndërkohë që mund të ishte një atraksion turistik për ski, ndoshta më i
miri në Shqipëri. Hapja e pikës kufitare të Llakaicës me shtetin Maqedonas, e
quajtur ndryshe si “Fusha e 30-ës”, vendi me pikë piramidën nr. 30 të kufirit
shtetëror me Maqedoninë, e bën Steblevën një zonë malore turistike, vetëm 30
min larg nga Struga. Mungesa e rrugës ka bërë që në dimër kjo zonë në këmbët e
parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë të jetë një pamje e paarritshme për të
gjithë ata që duan të shijojnë natyrën dimërore, për të mos udhëtuar shumë
drejt veri-lindjes apo drejt Maqedonisë.
Stebleva është një
teatër natyror, një gërshetim i mahnitshëm i lëndinave, pyjeve, kodrinave,
maleve dhe lumenjve. “Maja e Zezë”, e cila ndodhet në lartësinë 2225 m mbi
nivelin e detit, është maja më e lartë në këtë zonë. I dyti renditet mali i
Raduçit, me një lartësi 2084 m, i cili shtrihet në lindje të Steblevës.
Stebleva përshkohet nga përrenj dhe kroje të shumtë, të cilët pasi grupohen
formojnë lumin Zalli i Steblevës që përshkon rrugën Borovë – Trebisht –
Okshtun, në Gjoricë të Dibrës dhe më tej bashkohet me Drinin e Zi. Krahas
bukurisë, florës dhe faunës së pasur, ky lumë karakterizohet edhe nga cilësia
parësore e peshkut që rritet në këto ujëra, trofta me pika të kuqe.
Të mahnitshme janë
pllajat dhe lëndinat e Visharicës, malit të Kallkanit e Mllacit, të cilat përbëjnë
një nga pjesët më tërheqëse të Steblevës, të përshtatshme për aktivitetet
sportive gjatë muajve të verës dhe pistat natyrore për ski, gjatë sezonit të
dimrit.
No comments:
Post a Comment