Një vajzë nga Librazhdi
ka rezultuar “e zhdukur” prej 15 vitesh. Ajo është gjendur ditën e hënë nga
policia e Tiranës. Nga ana tjetër, familjarët e saj në Librazhd prej 15 vitesh
nuk e kishin tërhequr denoncimin në polici duke mbajtur shpresat gjallë se do
vinte një ditë e bukur, që do ja rikthente vajzën. Por, edhe pse vajza u gjet
për ta nuk ka qenë një ditë komplet e bukur.
Esma T., aktualisht 38
vjeçe, është shoqëruar në Komisariatin nr.3 për të dhënë shpjegime se ku ka
qenë gjatë gjithë këtyre viteve dhe përse nuk ka kontaktuar me familjarët. Ata
ende nuk e kishin tërhequr denoncimin që kishin bërë më 4 mars të vitit 2002 në
Komisariatin e Librazhdit, ku kishin kërkuar ndihmë për gjetjen e vajzës. E
duket se kur kishin humbur të gjitha shpresat për gjetjen e saj, një telefonatë
e mbërritur në numrin e babait të saj nga një oficer policie ka sjellë sa
gëzim, aq edhe hidhërim për familje. Kjo, për shkak se Esma nuk ka pranuar të
kthehet në shtëpi. Ajo ka pranuar që të flasë me të atin, pasi i është kërkuar
nga oficeri i policisë, si një procedurë për dorëzimin e saj te familjarët, por
ka refuzuar që të kthehet në Librazhd.
Gjatë deklarimeve të saj, vajza, që kur
u deklarua e humbur ishte vetëm 23 vjeç, është shprehur se ishte larguar me
dëshirën e vet. Ajo ka thënë se nuk është larguar në asnjë moment nga Shqipëria
dhe pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në Tiranë, ku ka ndërtuar jetën e
saj. Largimin nga shtëpia ajo e ka arsyetuar me faktin se atje nuk i ofrohej
asgjë, as nga familja as nga shoqërie dhe se gjatë gjithë kohës atje ka qenë e
mbyllur, pa arritur të shohë asgjë se çfarë ndodhte jashtë shtëpisë së saj.
Aktualisht, ajo ka thënë se preferon të kthehet më në shtëpinë e prindërve
të saj, pasi ka ndërtuar jetën në kryeqytet.

No comments:
Post a Comment